KRS – Koferenca e Rinise Socialiste

KRS – Koferenca e Rinise Socialiste

Konferenca e Rinisë Socialiste (KRS)

Social-Demokracia si hapësirë e mendimit kritik

17.05.2014

Përmbledhje :

 

Aktiviteti ka të bëjë me formimin e një sërë diskutimesh kombëtare të cilat do të shtrihen përgjatë një dite. Ato kishin panele të përzgjedhur dhe në qendër të tyre formëzimin e pikëpamjeve social-demokrate të FRESSH.

Aktiviteti ndahet në tre tema, të cilat shtrihen në tre salla të ndryshme. Tre temat përbëjnë tre problematikat kyçe të të rinjve, parë nga boshti social-demokrat. Tre temat janë:

  1. Puna si dinjitet!
  2. Media në epokën e Reality Show.
  3. Rënia e qytetit: Kritikë e zhvillimit urban.

 

Përshkrimi i Eventit:

 

Konferenca e Rinisë Socialiste synon të kthehet në të parën hapësirë kombëtare diskutimi mes studentëve të majtë dhe ekspertëve të teorisë politike, në lidhje me një projekt shumë ambicioz: kritika sistematike dhe arkeologjia e koncepteve kryesore të cilat na shoqërojnë çdo ditë në sjelljet dhe zgjedhjet që ndërmarrim në shoqëri.

Koncepte të tilla si e majta ideologjike, puna, media, qyteti dhe ristrukturimi i të rinjve në shoqëri, prej shumë kohësh janë marrë si të mirëqëna. Në këto kushte ato e kanë humbur kuptimin e tyre bazik, duke u kthyer në rastin më të mirë në retorikë, e në rastin më të keq në pengesa reale për zhvillimin e shëndetshëm social të të rinjve. Kësisoj, lind nevoja që vetë të rinjtë të gjejnë një bosht mendimi, një sistem prej të cilit të ndërtojnë kritikën sistematike mbi këto nocione.

Kritika e aktualitetit të të rinjve shqiptarë nis prej konceptit të social-demokracisë, si një sistem i cili de-makinizon proceset, specifikon fenomenet, dhe përfshin në ekuacion moralitetin dhe të përditshmen. Një diskurs i tillë mbi social-demokracinë është arsyeja e parë që të rinjtë të marrin pjesë në këtë Konferencë të Rinisë Socialiste.

 

Arsyeja e dytë për një konferencë të tillë është nevoja ontologjike për të rigjetur rrënjët e mendimit të majtë social-demokrat. Të rinjtë janë ata që duhet të rivendosin në punë “pompën” ideologjike, duke kritikuar konceptet me të cilat janë rritur. Kësisoj Konferenca e Rinisë Socialiste do të shërbejë si një hapsirë debati për çrrënjosjen e nocioneve të kalcifikuara, apo për vlerat e dyzuara dhe kaotike të shoqërisë shqiptare.

Duket sikur ekzistenca e të rinjve shqiptarë kushtëzohet nga një pafundësi problemesh praktike. Megjithatë, në një analizë sistemike dallohen tre pengesa madhore:

  • Puna si koncept i pandashëm prej dinjitetit, media dhe zhvillimi i mbrapshtë urban.
  • Qëllimi primar i KRS është diskutimi i këtyre tre problemeve madhore dhe kritika e thelluar e tyre; gjithnjë duke u nisur prej limbos social-demokrate.

Panelet e Konferencës:

  1. Puna si dinjitet!

Problemi kryesor i të rinjve shqiptarë është puna. Puna jo thjesht si koncept sipërfaqësor i një marrëdhënie kontraktuale, por si një vlerë e lidhur katërcipërisht me dinjitetin. Konferenca e Rinisë Socialiste synon që nëpërmjet epistemologjisë social-demokrate të mësojë koordinatat e punës, dinjitetit, marrëdhënies së të dyjave, si dhe rikthimin në rrënjët e sistemit të prodhimit. Kritika sistematike e majtë mund të nisë vetëm nga kritika sistematike e punës. Kësisoj, puna është një nga konceptet më të rëndësishme që KRS synon të dekonstruktojë.

  1. Media në epokën e Reality Show!

Dy fakte janë të provuara: media është instrumenti kryesor që ndikon mbi formimin e kulturës (ose pop-kulturës), dhe kjo e fundit është instrumenti kryesor që ndikon mbi formimin e të rinjve shqiptarë. KRS synon të analizojë këtë raport trefish “media-popkulturë-rini”, duke ndërtuar kritikën mbi secilin koncept. Qëllimi kryesor është të kuptojmë se si duhet të sillet media në një shoqëri social-demokrate, se sa seriozisht duhet të merret, dhe se si duhet të risistemohet ky raport trefish.

  1. Rënia e Qytetit: Kritikë e zhvillimit urban

Qyteti modern konceptohet jo më si thjesht një entitet territorial dhe administrativ. Qyteti është një gjendje mendore e banorëve të tij. Pikërisht në këtë nivel qyteti shqiptar kthehet në një prej armiqve kryesorë të banorëve, sidomos të rinjve. KRS synon që nëpërmjet një diskutimi serioz të rikonceptojë zhvillimin urban sipas optikës social-demokrate, si dhe të ristrukturojë pozicionin e të rinjve në këtë hapsirë.

Konferenca e Rinisë Socialiste synon të kthehet në një instrument të kritikës së kushteve të të rinjve shqiptarë, koncepteve kryesore të tyre, dhe mendimit politik. Të gjitha këto, në rrugën e gjatë drejt social-demokracisë.

 

______________________________________________________________________

Objektivat e komunikimeve:

 

  • Afrimi me forumin i një audience jo vetëm në bazë grupmoshe, por edhe në bazë të përgatitjes akademike.
  • Konsolidimi i kësaj audience si pjesë organike e forumit.
  • Krijimi i një sërë tekstesh në lidhje me pikëpamjet social-demokrate dhe marketimi i tyre nëpërmjet krijimit të një libri.
  • Koordinimi i komunikimeve me forumin në bazë kombëtare; zgjerimi përtej target group të lokalizuar në Tiranë.
  • Krijimi i një imazhi serioz të FRESSH si “pompë” e mendimit ideologjik të të rinjve shqiptarë. Influence specific policies or policymakers around key aspects.
  • Krijimi i një korpusi real kërkimor për forumin.
  •  
Tags :