Beograna

Përgjatë datave 5 – 6 Korrik 2014  Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë (FRESSH) në bashkëpunim me Rininë Demokratike të Serbisë (forumi rinor i partisë më të madhe social-demokrate të Serbisë) dhe të rinjtë e Institutit Alpbach Kosovë organizuan në Tiranë Aktivitetin Multikulturor Beograna.

Ky aktivitet, i mbështetur dhe financuar prej Friedrich Ebert Stiftung, kishte për qëllim evidentimin, analizimin dhe zhvillimin e mendimit kritik rinor përsa i përket problematikave të përbashkëta të të rinjve të vendeve pjesëmarrëse. Aktiviteti u konceptua në dy pjesë: një konferencë e përbashkët me tre panele, e shtrirë në harkun kohor të dy ditëve në ambientet e Akademisë së Arteve, me tematikë kryesore “Sfidat e Arsimit në Shqipëri dhe Serbi, parë nga këndvështrimi i të rinjve”, si dhe një ekspozitë fotografike me përfaqësues të Alpbach Kosovë, me titull “Ku është Europa në Kosovë dhe Serbi?”.

Përgjatë diskutimeve të gjata në lidhje me arsimin dhe sfidat e përbashkëta me të cilat të rinjtë përballen, u vërejt një frymë optimizmi në kuadrin e bashkëpunimit të të rinjve për t’i kthyer Ballkanit harmoninë dhe dinjitetin që prej kohësh i ka munguar. Mes pjesëmarrësve u theksua nevoja për të punuar të gjithë bashkë, për ta kthyer Gadishullin Ballkanik në një rrjet komunikimi të shëndetshëm, duke punuar dhe shkëmbyer eksperiencat në planin akademik, politik dhe kulturor.

Sipas Kryetares së FRESSH, Joleza Koka: “Beograna është një bashkëpunim mes të rinjve. Diskutuam për edukimin, sfidat e përbashkëta të sistemit arsimor, por pa harruar asnjëherë qëllimin kyç: rritjen e bashkëpunimit mes shteteve tona, i cili domosdoshmërisht nis prej gjeneratës së re të politikanëve, artistëve dhe akademikëve. Ne synojmë që eksperiencat, sugjerimet dhe iniciativat kreative të sugjeruara përgjatë Konferencës në lidhje me arsimin, t’i përmbledhim në një botim i cili do t’u propozohet qeverive përkatëse të shteteve tona.”

Përfaqësuesi i Rinisë Demokratike të Serbisë, Marko Dodic, theksoi se sfidat e arsimit janë guri i themelit për një bashkëpunim të gjatë mes shteteve. Sipas tij, “Përgjatë kësaj fundjave, përfaqësues prej shteteve tona u takuan dhe vendosën të fokusojnë gjithë energjitë e tyre në zgjidhjen e problemeve të arsimit, sipas një eksperience të përbashkët. Duhet të bashkëpunojmë për të patur një rezultat sa më të mirë.”

Përfaqësuesi i IG Alpbach Kosovë, Shkumbin Asllani, theksoi se brezi i ri duhet të largohet prej stereotipizimeve të vjetra të shteteve ballkanike, jo vetëm duke pranuar artin dhe kulturën e shteteve fqinje, por edhe duke i shkëmbyer ato. Sipas tij, “Arti, kultura, shkëmbimet e përbashkëta të këtyre disiplinave si dhe sfidat në arsim janë mundësitë më të mira të të rinjve të vendeve tona për të dhënë mesazhin se brezi i ri nuk i ngjan aspak brezave që e kanë trajtuar Gadishullin me urrejtje dhe përçmim.

Është koha për të dhënë shembullin më të mirë të bashkëpunimit.” Pjesëmarrës nderi përgjatë Aktivitetit Multikulturor Beograna ishte edhe Drejtori i Friedrich Ebert Stiftung dega Shqipëri, z. Frank Hantke. Ai ndau me të rinjtë pjesëmarrës eksperiencën e tij praktike në lidhje me zgjidhjen e problemeve të arsimit, si dhe ndihmoi në orientimin me materiale dhe tekste akademike për të zhvilluar më tej idetë e propozuara përgjatë konferencës. Në fund të aktivitetit ai u shpreh mjaft optimist për të ardhmen, duke theksuar se aktivitete të tilla kanë munguar për shumë kohë. Sipas tij, bashkëpunimi i të rinjve në Gadishullin Ballkanik mund të funksionojë në çdo dimension dhe disiplinë, pasi vullneti ekziston dhe mund të kanalizohet në nisma praktike.

Aktiviteti Multikulturor Beograna synon të shtrihet në më shumë shtete të Ballkanit, me etapë të parë Serbinë. Nismat kreative në kuadrin e arsimit, të propozuara prej të rinjve pjesëmarrës, do të përmblidhen dhe botohen, me shpresën se do të ndihmojnë qeveritë e vendeve përkatëse në përmirësimin e sistemit arsimor dhe bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit.